Gërvalla, Maqedonci dhe drejtori i AKI’së marrin pjesë në konferencën “Defence 24 Days” në Varshavë

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, drejtori i AKI’së Petrit Ajeti dhe përfaqësues të FSK’së do të marrin pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”, lidhur me çështje të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, në përbërje të të cilit është Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti dhe përfaqësues nga FSK-ja, po merr pjesë në konferencën dyditore “Defence 24 Days”, e cila i kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë, sfidat dhe situatën aktuale dhe të ardhshme gjeopolitike, parandalimin dhe mbrojtjen në epokën e luftës.”

“Si një prej konferencave më të mëdha dhe më të rëndësishme të sigurisë në Evropë, “Defence24 Days” është një mundësi e mirë e diskutimit mes përfaqësueseve më të lartë shtetërorë, ekspertëve, civilëve dhe ushtarakëve, rreth sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë. Përmes diskutimeve në panele Republika e Kosovës do të paraqesë pikëpamjet, angazhimin dhe kontributin e saj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.”

Në njoftim thuhet se Gërvalla do të ketë takime me udhëheqës të lartë të Polonisë dhe shteteve tjera pjesëmarrëse në konferencë.