Gërvalla në Bundestag flet për “nevojën e sanksioneve ndaj Serbisë” me deputetët e Komisionit për Mbrojtje

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe anëtarë të këtij komisioni në Bundestag.

Siç njofton MPJD, situata e sigurisë në Kosovë dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër paqes dhe sigurisë në rajon ishin temat kyçe të takimit.

“Gjatë kësaj bisede të zhvilluar në Bundestagun gjerman me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Mbrojtje u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e sigurisë, nevojën e ndërmarrjes së sanksioneve ndaj Serbisë për veprimet destabilizuese të saj në Ballkanin Perëndimor, në njërën anë dhe në anën tjetër vazhdimin e mbështetjes së Kosovës në ngritjen profesionale, logjistike dhe anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.

Gërvalla në fund të takimit i falënderoi deputetët gjermanë për mbështetjen e tyre për Kosovën dhe nevojën e domosdoshme të ruajtjes së stabilitetit në rajon.