Gërvalla thotë se drafti i ri e respekton Kushtetutën: Marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se marrëveshja që mund të arrihet, duhet të zbatohet si e plotë dhe se zbatimi i pjesshëm nuk sjell përparimin e synuar.

Gërvalla ka shtuar se drafti i ri evropiano-amerikan për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e respekton Kushtetutën e Kosovës.

Po tani në fakt kryeministri çfarë i ka ofruar dje kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres italiane dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri, i cili ka ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili i respekton shqetësimet që i kemi shprehur gjatë dy viteve rreth substancës së atij mekanizmi dhe kryeministri Kurti i ka treguar partnerëve ndërkombëtarë që nëse ata do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve që kemi lidhur atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në implementimin e tyre.” – ka thënë Gërvalla.

“Respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës”.

Ndër të tjera, ministrja e Punëve të Jashme ka komentuar edhe deklaratën e thënë më parë se “Asociacioni ka vdekur”, ku ka deklaruar se kjo deklaratë lidhet me asociacionin i cili shkel Kushtetutën.

Ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë.” – ka thënë Gërvalla.

Marrëveshja zbatohet si e gjitha, përndryshe copëzat e saj nuk do të sjellin progres”, ka thënë ajo pas thirrjes së liderëve të Francës, Italisë e Gjermanisë që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e Serbia ta jetësojë njohjen de-facto.

Për deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, që fajësoi të dyja palët për vënie të parakushteve që bllokuan arritjen e marrëveshjes, Gërvalla ka thënë se “nuk është hera e parë që është shumë i njëanshëm në vlerësimin e situatës”.

Zoti Borrell edhe në të kaluarën është shquar për deklarata të cilat nuk e kanë pasqyruar realitetin e dialogut, nuk e kanë pasqyruar realitetin e qëndrimeve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur dy palë dje. Kryeministri i Republikës së Kosovës ka ofruar një rrugë të qartë për dalje nga situata në të cilën ndodhemi dhe atë rrugë e ka refuzuar Presidenti i Serbisë dhe t’iu them të drejtën as nuk presim që Presidenti i Serbisë të tregohet konstruktiv në këtë proces.” – ka deklaruar ndër të tjera ministrja Gërvalla./Nacionale