Zyra Federale për Drogat me seli në Berlin regjistroi në vitin 2023 më shumë se 2200 vdekje nga drogat. Por kjo shifër duhet të jetë edhe më e lartë.
Numri i vdekjeve të lidhura me përdorimin e drogave në Gjermani ka arritur një rekord historik: në vitin 2023 u regjistruan 2.227 vdekje të lidhura me konsumin e drogave, njoftoi i Ngarkuari Federal për Drogat, Burkhard Blienert, 1,844 burra dhe 383 gra. Kjo shifër është dymbëdhjetë për qind më e lartë se një vit më parë dhe rreth dy herë më shumë se dhjetë vjet më parë.
Blienert tha se e vlerëson situatën si “shumë të rëndë”: “Kam frikë se në realitet duhet të ketë edhe më shumë vdekje të lidhura me konsumin e drogave”, sepse ka “shumë pak raporte toksikologjike dhe autopsi”.
Sipas tij gjithashtu konstatohet se “gjithnjë e më shumë substanca konsumohen të përziera së bashku, se në treg ka substanca gjithnjë e më të forta dhe se konsumuesit e drogave marrin çdo gjë që gjendet në treg”. Sipas Blienert mosha mesatare e të vdekurve ishte 41 vjeç dhe ajo vazhdon të rritet. Për rreth dy të tretat e rasteve të vdekjeve – 1,479 raste – u konstatua se kishin të bënin me konsumimin e përzier të substancave të ndryshme të paligjshme – 34 për qind më shumë se në vitin 2022.
Sipas të dhënave shkaktare për 712 raste vdekjeje ishte heroina duke e bërë këtë drogë substancën më të shpeshtë që shkakton vdekje. Megjithatë vihet re një rënie e lehtë. Nga ana tjetër ka pasur rritje të konsiderueshme – nga 507 në 610 raste vdejkeje – të lidhura me konsumin e kokainës dhe drogës crack.
Një rritje edhe më të konsiderueshme – nga 528 në 654 raste vdekjesh – shënohet prej konsumit të barnat për zëvendësimin e opiateve. Numri i vdekjeve nga përdorimi i metamfetaminës u rrit gjithashtu ndjeshëm nga 47 në 122 raste.