Gjinovci: Propaganda e Albin Kurtit, asnjë nga arritjet e listuara për arsim, nuk janë arritje

Drejtori Ekzekutiv i ORCA’s, Rron Gjinovci, ka publikuar një shkrim, për të cilin thotë se demanton propagandën e kryeministrit Kurti për arsimin e lartë pasi ky i fundit publikoi “nëntë arritje”.

“Ky shkrim synon ta demantojë propagandën e Kryeministrit për Arsimin e Lartë që tentoi ta bënte përmes një posteri me 9 katrorë, ku u renditën 9 ‘’arritje’’ të qeverisë së tij në Arsimin e Lartë. Më lejoni që në fillim të shkrimit t’ju njoftoj se asnjë nga 9 “arritjet”e listuara nuk është arritje.”

Arritja e parë sipas Kurtit ishte arsimi i lartë publik falas. Gjinovci thotë se shpenzimet e arsimit të lartë po paguhen me para publike.

“E para e punës ky nuk është arsim falas. Albini nuk po i paguan shpenzimet e arsimit të lartë me trashëgiminë e babait të tij, por me paratë publike. Nuk po na e falë kjo qeveri, por po na e jep atë që na takon. Për neve qytetarëve ky është një shërbim publik pa pagesë, jo falas, sepse ne paguajmë për të përmes taksave tona. Sido që të jetë, para ardhjes së kësaj qeverie, të studioje në universitete publike kushtonte 25 Euro për semestër, pra 6 muaj 25 euro, 4 Euro e 10 cent në muaj. Kjo lloj pagese mund të konsiderohej si taksë administrative e ngjashme me atë që paguajnë studentët në Norvegji ku arsimi publik është po ashtu pa pagesë. Me një vendim, kjo pagesë u hoq dhe kjo u bë arritje e kësaj qeverije në qeverisje. Imagjinoni çfarë arritje përmbajtjesore, më studentët nuk paguajnë 4 Euro e 10 cent në muaj për të studiu në universitetet publike. Bravo Bini!”

Pika e dytë për të cilën shkruan Gjinovci është “26 përqind më shumë buxhet për arsim”.

Ai thotë se mund të jepen edhe 2000 përqind më shumë buxhet për arsim, por pyet se për të arritur çfarë rritet buxheti për arsim, derisa përmend shkarkimin e Selim Bezerajt nga Këshilli Drejtues i UP’së dhe Bujar Dugollin.

“Mund të jepen edhe 2000% më shumë buxhet për arsim, por për të arritur çfarë? Çka synohet e çka do të arrihet me këtë buxhet shtesë? A e heq ky buxhet anëtarin plagjiator Selim Bezeraj nga Këshilli Drejtues i UP-së? Po Bujar Dugollin, plagjiatorin tjetër, a e heq ky buxhet shtesë nga fotografitë e Kryeministrit Albin Kurti?”

“𝐀𝐟𝐞̈𝐫 𝟒 𝐦𝐢𝐣𝐞̈ 𝐛𝐮𝐫𝐬𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐭𝐮𝐝𝐞𝐧𝐭𝐞̈, 𝟐𝟗𝟎𝟎 𝐩𝐞̈𝐫 𝐟𝐮𝐬𝐡𝐚𝐭 𝐒𝐓𝐄𝐌- Që jepeshin bursa për studentë gjithnjë, jepeshin, por ama qeveritë e kaluara nuk dinin t’i numëronin e t’i vendosnin në poster propagandistik siç di Qeveria e Albin Kurtit. Kjo mbase është një arritje e re. Bravo Qeverija, po dini të numëroni!”

“𝐀𝐫𝐬𝐢𝐦𝐢 𝐝𝐮𝐚𝐥 𝟏𝟐 𝐩𝐫𝐨𝐟𝐢𝐥𝐞, 𝐧𝐞̈ 𝟐𝟏 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐥𝐥𝐚, 𝟏𝟑 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐚 – A mund të na thotë dikush në çfarë studimi, e në çfarë projekti është bazuar kjo gjë? Çka synohet me arsimin dual? Pse është i mirë? Si ndikon te ulja e papunësisë së të rinjve? Apo është edhe ky sikur ato projektet e PDK-së që ndërtonte shkolla pa hesap në secilin katund të Kosovës për t’i pasë të braktisura shumë prej tyre tash që po shkruhet ky shkrim. 4 profile të tilla ekzistonin, tash janë 12. A na e thotë dikush një sukses të atyre 4 sa ishin? Nuk po paragjykoj që nuk ka, por si person që e përcjell arsimin intensivisht nga viti 2011, nuk më ka rënë në sy asnjëherë të jetë përmendur si sukses diçka nga arismi dual. Kjo është një ide që qarkullon të paktën qe 10 vjet, pra as nuk është ide e kësaj Qeverie as arritje e saj. Është vazhdimësi e një ideje që askush nuk di të thotë pse na duhet.”

“𝐀𝐠𝐣𝐞𝐧𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐬 𝐩𝐞̈𝐫 𝐀𝐤𝐫𝐞𝐝𝐢𝐭𝐢𝐦 𝐮 𝐤𝐭𝐡𝐲𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐄𝐍𝐐𝐀- E para e punës AKA nuk u kthye në ENQA. Kthimi ne ENQA është atëherë kur kthehet si anëtare me të drejta të plota. Manipulimi me këtë informacion përballë publikut që nuk i kupton aq mirë termat si “anëtare e asociuar” tregon sa e dëshpëruar është kjo Qeveri për të pasë një sukses real. Dhe ky anëtarësim i Kosovës si anëtare e asociuar, nëse është ndonjëfar arritje, vetëm arritje e kësaj Qeverie nuk është. Kjo është arritje e vet Agjencisë, e Bordit të saj dhe e Drejtorit të saj, të cilëve iu desh të luftonin ashpër kundër vet VV-së në Parlament për ta mbrojtur sakatosjen e Ligjit për Agjencinë nga deputetë të caktuar të VV-së. Është arritje e jona si shoqëri që i ndejtëm gati me reagim sa herë që pati nevojë. Këtu kontributi i vetëm i Qeverisë është që nuk ndërhyu brutalisht siç bënte Rambo. Por nëse Albini ka filluar t’i krahasojë metoda e veta të ndërhyrjes në agjencitë e pavarura me metodat vulgare të Rambos, atëherë kjo na flet shumë për Albinin. Shpresoj të mos jetë kështu.”

“𝐊𝐞̈𝐬𝐡𝐢𝐥𝐥𝐢 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫 𝐢 𝐒𝐡𝐤𝐞𝐧𝐜𝐞̈𝐬 𝐮 𝐫𝐢𝐟𝐮𝐧𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥𝐢𝐳𝐮𝐚- UE! Çfarë arritje e jashtëzakonshme! Qenka marrë edhe një vendim për emërimin e anëtarëve të një Këshilli që ishte paraparë në Ligjin për Arsimin e Lartë që në vitin 2011. Kjo vërtetë është një arritje e jashtëzakonshme!”

“𝐀𝐧𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐬 𝐧𝐞̈ 𝐇𝐨𝐫𝐢𝐳𝐨𝐧 𝟐𝟎𝟐𝟎- Kjo tingëllon si një arritje. Por është mirë ta informojmë publikun se për këtë anëtarësim Kosova paguan 1 milion Euro në vit. Ende asnjë projekt me udhëheqës nga Kosova nuk ka fitu grant në Horizon 2020 sepse mungojnë kapacitetet për aplikim. Kam përshtypjen që bilancin e kemi negativ.”

“𝟓𝟎𝟎 𝐛𝐮𝐫𝐬𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐫𝐨𝐦𝐞̈𝐭, 𝐚𝐬𝐡𝐤𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐞𝐠𝐣𝐢𝐩𝐭𝐢𝐚𝐧𝐞̈𝐭 – Gjëra si kjo as nuk duhen përmendë. Si qenka arritje që merr vendim për ndarje bursash për të shtypurit e një vendi? Ose të paktën, si qenka një ndër 9 arritjet kryesore tua? Nëse vërtetë do të duheshin përmendë, atëherë kjo do të ishte gjëja e pesëdhjetë e disatë në rendin e 100 objektivave të mirëfillta të një qeverisje që di të qeverisë. Kurrsesi jo e teta në mesin e nëntë arritjeve fiktive. Por krejt në fund, si qenka arritje e qeverisjes shkrimi i një vendimi një faqe ku thua “do të jepen bursa”. Për më tepër, edhe kjo ka ndodhë në të gjitha qeveritë paraprake, por ato nuk dinin të numëronin, as të bënin posterë të tillë qesharakë. Apo ndoshta ato ishin aq të vetëdijshme sa të dinin se është e turpshme të pretendosh ‘’arritje’’ të tilla.”

“𝟒𝟎𝟎 𝐦𝐢𝐣𝐞̈ 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐩𝐞̈𝐫 𝐦𝐛𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐪𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐯𝐞 𝐦𝐞̈𝐬𝐢𝐦𝐨𝐫𝐞- Do të më vinte turp si Kryeministër ta përmendja këtë si sukses. Do të më vinte turp nga cilido ambasador që vepron në Kosovë. Vetëm Austria jep disa miliona në vit për mbështetje të ndryshme të institucioneve të arsimit të lartë. Mos të flas për BE-në, pastaj për vendet e BE-së veç e veç, apo për ShBA-në. Është turp, një Kryeministër me pretendu si arritje të veten jepjen e 400 mijë Eurove për mbështetje të qendrave mësimore në një vend ku secili donator jep miliona për të njejtën gjë.”

Ai i ka thënë kryeministrit Kurti se nuk mund të bëjë propagandë.

“Të bësh propagandë Kryeministër, nuk mundesh, nuk mundesh Kryeministër. Ndoshta edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, se të demantojnë.”