Gjykata merr vendimin, arrest shtëpie për Sali Berishën

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Para seancës, avokatët kërkuan sërish përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke pretenduar se ajo ishte në konflikt interesi.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka kërkuar për Berishën arrest në shtëpi, ruajtjen e tij me punonjës policie dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre të deklaruar që jetojnë me të në banesë.

Kjo kërkesë nga SPAK erdhi pasi më herët, ish-kryeministri i Shqipërisë nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, atë të detyrimit me paraqitje para policisë gjyqësore. Berisha ka pretenduar se kërkesa e SPAK ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën pasi kërkesa nuk ishte aprovuar nga Parlamenti për t’i hequr atij imunitetin.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.