Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për vrasjen në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve A.M., dhe L.B., për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamiti të dielën në Fushë Kosovë.

Këtë informacion e ka konfirmuar për Express avokati i L.B., Shefqet Hasimi.

Ai tha se të dyshuarit pas përfundimit të seancës dëgjimore janë dërguar për në qendrën e paraburgimit.

Viktima është privuar nga jeta me thikë në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë.

Thika e cila dyshohet se është përdorë në këtë rast është sekuestruar.

Të hënën Shefqet Hasimi, avokati i L.B., i dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamiti ka treguar versionin e 26-vjeçarit se çfarë tha ai në stacionin policor për vrasjen. Sipas të dyshuarit L.B., ai dhe shoku i tij A.M., nuk janë njohur më parë me viktimën.

Sipas avokatit, i dyshuari ka deklaruar në stacionin policor se viktima kishte tentuar ta hapte në parking veturën e tij të marrë me qera dhe sipas tij, kur e ka parë këtë ngjarje e ka thirrë shokun e tij dhe e kanë takuar viktimën ku pas përleshjes fizike ngjarja ka përfunduar me vrasjen e 41-vjeçarit.

“Sipas deklarimit të tij ky e ka marrë një veturë me qera edhe e ka lënë në parking ka thënë e kam pa një person duke tentuar me hap derën edhe ka ikë nga vendi i ngjarjes, ky e ka thirrë shokun e tij, hajde se kam problem me njërin, ai prej Orlloviqit ka ardhë shpejt e shpejt janë bë bashkë, qysh ka deklaru e kanë pritë rreth 20 minuta derisa u dalë në një rrugë, ju kanë lëshu me një veturë, janë fjalos janë grushtu, edhe ai (shoku i tij) e ka nxjerr thikën e ka mbyt në vend. Ai qysh tha sjemi njoftë më herët, rastësisht ka ndodhë. Ashtu është deklaru”, tha avokati Hasimi.