Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se më e rënda ishte etiketimi si kolaboracionist

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 24-të në këtë çështje (me kodin 4255) ka thënë se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte dikujt ishe të etiketohej si kolaboracionist.

Këtë deklarim dëshmitari e kishte bërë në sesion privat, por për të cilin është pyetur në pyetjet plotësuese nga avokati Gregory Kehoe.

Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari tha se jo vetëm për të, por për gjithë popullin ky term njihet si “term i ulët, injorant dhe nënçmues”.

Ndryshe, në sesion publik janë bërë pyetjet plotësuese nga ekipet mbrojtëse, bazuar në pyetjet e trupit gjykues, pasi që paraprakisht, në sesion privat janë bërë pyetjet e ekipit mbrojtës së Selimit dhe Krasniqit si dhe pyetjet nga ana e trupit gjykues.

Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokati Ben Emmerson tha se është e saktë që oficerët serbë vendosnin maska kur kryenin detyra të caktuara në Kosovë.

Në anën tjetër tha se është e vërtetë që në daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tre pjesëtarët e UÇK-së kishin vënë maska kur nderuan me tri të shtëna mësuesin e rënë.

I pyetur se nga fundi i 1997-ës e deri në qershor 1998 a ishte e zakonshme që pjesëtarët e UÇK-së të vendosnin maska kur kryenin sulme në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, dëshmitari tha se ‘‘po ishte e zakonshme, ndoshta edhe e nevojshme për ta, unë nuk kam bart’’.

Kurse, u pajtua se pas qershorit kishte ulje të përdorimit të maskave, porse shtoi se ajo ka qenë vlerësim i secilit aty për aty, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari po ashtu u pyet për çështjen e kidnapimit të Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, kishte dhënë përgjigje se nuk kishte kryer hetim për këtë dhe nuk kishte qenë pjesë e bisedave të pasluftës.

E i pyetur se pse nuk ishin bërë këto të dyja, dëshmitari tha se ‘‘e para, nuk ishte në zonën time, i takon komunës së Malishevës dhe e dyta, nuk ka pas mandat të hetoj’’.

Ai tha se ata i ka takuar vetëm pas luftës duke shtuar ‘‘momentet e para pas luftës ne jemi taku’’.

Në këtë mënyrë, dëshmia e tij ka përfunduar dhe se seanca në këtë çështje do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.

Në këtë mënyrë dëshmia e tij ka përfunduar dhe se kjo seancë do vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të 23-të (me kodin 03827), për t’iu përgjigjur kundër-pyetjeve të mbrojtjes.