Gjyqtari Gashi: Nga marsi deri në maj kanë ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione

Rexhep Gashi, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë në Departamentin për Çështje Administrative, tha se gjatë muajve mars-maj sipas statistikave të shkrimores kishin ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione.

“Qytetarët përmes edhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas përmes Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe instancave tjera janë t’u ushtru padi me një numër jashtëzakonisht të lartë. Unë nga shkrimorja e gjykatës të Departamentit Administrativ e kom marr një statistikë për muajt mars- maj këtij viti tre mujor ku ka rezultu që vetëm për lëndë e kësaj natyre që kanë të bëjnë me pensione në gjykatë kanë ardhur diku 1194 padi apo përafërsisht rreth 1200 padi duke marr parasysh faktin që jemi vetëm 7 gjyqtarë kjo paraqet ngarkesë për gjykatën”, tha Gashi.

Një deklarim të tillë Gashi e dha në tryezën e diskutimit “(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionisteve në praktik dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë” të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës së Ndihmës Juridike Falas”.

I njëjti tha do të ishte më e lehtë qe të kishte numër më të madhe të gjyqtarëve pasi që pensionisteve do të ju duhet të presin kohë të gjatë edhe pse këshilli gjyqësor i Kosovës të njëjtat lëndë i ka renditur si lëndë me prioritet.