Grabitje e armatosur në një pompë, hajnat marrin një shumë të konsiderueshme të parave

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në orët e mëngjesit, në pompën e derivateve ‘Menar Petrol’ në fshatin Rusinovc të Lipjanit.

Sinjali mëson se një person i maskuar, nën kërcënimin e kallashnikovit ka hyrë brenda lokalit te pompa, ku fillimisht ka gjuajtur një herë e më pas ka arritur që të marrë rreth 1 mijë euro. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, bashkë me një person tjetër që dyshohet se ka qenë jashtë objektit.

Pas denoncimit të rastit nga kompania, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur një gëzhojë dhe janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit tashmë kanë nisur kërkimet për ta identifikuar dhe kapur personin e dyshuar.