Grapeland Rahoveci për të tretën me radhë

Grapeland Rahoveci vazhdon rrugëtimin drejt rikthimit të basketbollit rahovecas në majën e basketbollit kosovar.

Klubi i qytetit do të luajë ndaj Megasport Prizrenit të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi”.

Megasport është ekip për t’u respektuar pasi në të luajnë disa talentë të njohur, por Grapeland Rahoveci me emra si Durguti, Oruqi dhe Selmancena janë thjeshtë “tepër” për një ekip si Megasporti.

Vlen të përmendet se klubi rahovecas në posterin e ndeshjes ka vendosur Arlind Spahiun, i cili i ka vetëm 16 vjet, pas paraqitjes së tij fantastike ndaj Lipjanit, çka flet për përkrahjen e talentëve të rinj.

Klubi i ka bërë thirrje rahovecianëve që do të vizitojnë Prizrenin të shtunën që pas Galerisë e Abi Çarshisë, të ndalen edhe në palestrën “Sezai Surroi”.

Grapeland Rahoveci ka dy fitore nga dy ndeshje, dhe ndan vendin e parë me konkurrentin direkt për inkuadrim në Ligën e Parë, KEK-un nga Obiliqi. /Rahoveci24/