Gruaja në Lipjan e akuzon vjehrrën për dhunë, thotë se abortoi dy herë si pasojë e presionit të saj

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes. Një rast i tillë ishte raportuar në Polici nga një grua në Ferizaj, e cila e akuzonte vjehrrën e saj për dhunë.

Si rezultat i raportimit, ishte iniciuar rasti në fund të muajit mars, teksa para dy ditësh, është intervistuar burri me të cilin kishte bashkëjetuar viktima.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e viktimës, ajo kishte deklaruar se ka abortuar dy herë si pasojë e dhunës psikike që vjehrra kishte ushtruar ndaj saj gjatë bashkëjetesës në shtëpinë e tyre në Lipjan.

Këto akuza i ka mohuar kategorikisht burri i viktimës, i cili ka deklaruar se nëna e tij nuk ndodhet në Kosovë dhe nuk janë të vërteta fjalët e viktimës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të sigurohet prezenca e të dyshuarës dhe më pas të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme.