Hamiti: Kurti po bën dredhi me Asociacionin, urojmë të mos jetë i vërtetë Drafti i fundit

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, po e quan dredhi të Qeverisë Kurti, faktin që s’po e pohojnë e as mohojnë nëse kanë pranuar ndonjë prej drafteve që po qarkullojnë në media.

Hamiti thotë se një “rreng” i tillë s’kalon dhe se Qeveria duhet të përgjigjet nëse version i fundit është Darfti që kanë pranuar apo s’është.

Ai tutje ka shkruar se s’ka kuptim që Kurti të presë se dikush do të mendojë që Drafti është i mirë, ndërkohë që nuk e bën publik dokumentin.

Hamiti thekson se nëse Drafti i fundit që është publikuar është i vërtetë, atëherë ai është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me fuqi ekzekutive. Zyrtari i LDK-së thotë se nëse ai zbatohet, atëherë e ndërron edhe karakterin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Reagimi i plotë:

Dredhia e Qeverisë për Asociacionin

“E pamundur të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit dokument që qarkullon në publik”! Me një rreng të tillë Qeveria e Kosovës nuk mund të shesë mjegull se Drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është më i avancuar (përparuar), që i bjen më i mirë, se ata të viteve 2013 dhe 2015. Në vitet 2013 dhe 2015 kishte përvijime të Asociacionit, por jo drafte. Po dalka të jetë më i mirë se ata që nuk ekzistojnë.  Rrengu nuk kalon! Thjesht, le të përgjigjen: a është apo nuk është ky Drafti që u është dhënë dhe e kanë pranuar? Apo nuk e kanë pranuar?

Nuk po e bën publik Draftin e po pret që dikush t’i besojë se është i mirë. Kjo s’ka kuptim. Pse? Sepse Qeveria, Kurti me të vetët, kanë thënë me vjet se s’e bëjnë fare Asociacionin (Zajednicën). Domethanë po e bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë. Po e prishin kontratën me votuesit e vet. Janë të pabesueshëm edhe për ta. Për të tjerët edhe ashtu kanë qenë të pabesueshëm.

Si po e bëjnë tash Asociacionin s’po tregojnë.

Nëse është i vërtetë ky Draft që doli në publik, po e bëjnë shumë të keq, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Kosovës, me fuqi ekzekutive: entitet pushtetor autonom serb, me lidhje të fuqishme me Serbinë. Po të zbatohej, do t’ia ndërronte karakterin kushtetues Republikës së Kosovës. Do të ishte aranzhman më i përparuar për Serbinë, por jo për Kosovën. Gjithsesi, le të theksohet, ky interpretim vlen nëse është i vërtetë ky Draft që doli në publik së fundmi.

Nëse jo, le ta bëjnë publik që ta lexojmë e ta interpretojmë vetë të vërtetin.  E kanë obligim ta bëjnë publik, sepse prek interesat e qytetarëve, të vetë shtetit tonë. Të shpresojmë që të jetë ndryshe prej preambulës e deri në nenin e fundit. Fillimisht, pa referencë në Rezolutën 1244 të OKB-së.

Urojmë të mos jetë i vërtetë Drafti që doli në publik së fundmi!