Haradinaj: Antitankët Javelin janë porositur në vitin 2019

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për siç ka thënë ai improvizime e vonesa në fushën e sigurisë.

Haradinaj u shpreh se ekspozimi që Qeveria Kurti po u bën pajisjeve ushtarake është qasje e gabuar në fushën e mbrojtjes, transmeton klankosova.tv.

”Qeveria Kurti Kosovën e ka marrë me ushtrinë e krijuar, me ligjet e Kosovës, pa ndonjë kufizim, me plan dhjetë vjeçar, për dhjetë vjet krejtësisht e paraparë çka ndodhë, kur dhe qysh, e vetmja meritë e kësaj qeverie është që s’ka mujtë paret që është dashtë me i shti brenda vitit, me i bajtë në vitin tjetër, pra vonesa të teknikës ushtarake, disa herë kemi pasur vonesa, unë asnjëherë nuk kam folur detaje, por i siguroj qytetarët e Kosovës se ka pasur shumë vonesa, veprime të improvizuara në furnizim, improvizime sa kanë dalur në foto me teknologji ushtarake, ka pasur improvizime sa me dalë në foto, sa me rritë ratingun, gjëra që nuk i bën askush në mbrojtje, në siguri, pra nuk ekspozohet ashtu, nuk e bën askush, nuk e bën në veprimin e parë sapo i ke pru pesë pajisje me dalë në foto me to, siguria nuk funksionon ashtu, siguria është ndryshe”, tha Haradinaj.

Duke folur për antitanket Javelin, Haradinaj tha se ato janë zgjedhur në vitin 2018, si pjesë e strategjisë afatgjate ushtarake të Kosovës, ndërsa porositë për to janë bërë në vitin 2019.

”Fokusi i parë i ushtrisë tonë ka qenë a është dhe do të mbetet për një kohë ballafaqimi me rrezikun me urgjencë meqenëse Serbia në këtë rast si fqinj  i yni që na rrezikon potencialisht ka numër të madh të mjeteve të motorizuara të blinduara, tankse, autoblinda, transporterë, sisteme të caktuara të armatimeve, atëherë është gjetur zgjidhja më e mençme, pra në vend se të blejmë mjete të blinduara, tankse, tyta zjarri, e të tjera, ne e kemi paraparë ilaçin për këto mjete që në këtë rast është sistemi antitank Javelin, e ai është kundër mjeteve, fortifikimeve e kështu me radhë, të gjitha këto ishin të zgjedhura dhe të dakorduara në vitin 2018, në vitin 2019 kanë filluar porositë”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.