Haradinaj uron Ditën e Çlirimit: Mirënjohës përjetë UÇK-së dhe NATO-s

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës duke thënë se 24 vjetori e gjen Kosovën të zhvilluar jashtëzakonisht shumë.

Haradinaj ka thënë se lufta e UÇK-së dhe mbështeja e Amerikës dhe aleatëve të tjerë përshpejtoi fitorën e Kosovës.

“Duke kujtuar betejat e burrave e grave të UÇK-së anekënd vendit, jemi falënderues për aleatët tanë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Shkrimi i tij:

Kosovë, urime Dita e Çlirimit!

Të përulur përjetësisht, kujtojmë e nderojmë rrugën e gjatë dhe përpjekjet e mundimshme të shqiptarëve në të gjitha periudhat historike që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore. Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht, një vend për të cilin ka njohuri e gjithë bota.

Duke kujtuar betejat e burrave e grave të UÇK-së anekënd vendit, jemi falënderues për aleatët tanë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë.

Ta gëzojmë këtë liri, ta njohim vlerën e saj dhe të vazhdojmë në ndërtimin e të ardhmes sa më të mirë!