Haxhiu, opozitës: I keni amnistuar strukturat kriminale serbe me ligj, këtë nuk e lejon Qeveria Kurti

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është njeri më i duhur që ka qenë ndonjëherë në krye të këtij institucioni.

Ajo, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se opozitës i pengon kjo gjë për shkak se ajo nuk ka vepruar sikurse ministrat e mëparshëm të këtij dikasteri qeveritar që të punësonin në ambasada dhe konsullata jashtë vendit militantë, miq e familjarë të tyre.

“Ministrja Gërvalla po bënë reformë të thellë në ministrinë që e udhëheq, atë që e ka nisur kryetari i Kuvendit, po e vazhdon Gërvalla dhe asnjëherë në të kaluarën nuk ka pasur përfaqësim më të mirë të Republikës se sa që bëhet nga Gërvalla, asnjëherë më mirë”.

“Ne e dimë kë e kemi pasë ministër të Punëve të Jashtme, prandaj është e qartë dhe po ju pengon kjo. Ju i keni mbushur ambasadat dhe konsullatat me militantë, bashkëpunëtorë, miq e dashamirë, prandaj po ju pengon që Gërvalla po e vazhdon atë që u nis nga kryetari i Kuvendit kur ishte ministër”, ka thënë Haxhiu.

Ndër tjera, ajo ka theksuar se “Milan Radoiçiqi në vitin 2021 kishte urdhërarrest e u larguar, e tash është në listë të Interpool-it me juve është tërhequr, tash është në lisë. Ju po harroni veriun e keni quajtur dhuratë të Rankoviqit, ju i keni amnistuar strukturat kriminale me Ligjin për Amnistimin e Kriminelëve Serbë, po harroni që i keni lejuar zgjedhjet serbe me u mbajt në Kosovë, s’ka më ashtu siç keni vepruar ashtu është me vepru kundër shtetit tënd, këtë nuk e lejon Qeveria Kurti”.