25 vjet më parë, në Polac të Drenicës u vranë 78 civil të paarmatosur dhe 8 luftëtarë të UÇK-së.
Shtatë banorë të këtij fshati ende janë të pagjetur si pasojë e përpjekjeve të Serbisë për t’i fshehur krimet e saj. Autoritetet e këtij shteti vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin për zbardhjen e fatit të tyre.
Sot, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra, deputeti, Enver Dugolli, Sekretari Organizativ, Alim Rama, aktivistë të Lëvizjes nga Qendrat tona, bënë homazhe te kompleksi i varrezave në Polac të Drenicës, në kujtim të martirëve dhe dëshmorëve të kombit
Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar këtë ngjarje duke theksuar rëndësinë që ka drejtësia mbi këtë ngjarje për familjen, shoqërinë dhe gjithë kombin tonë.
“Përpara se të fillonte lufta në Kosovë, në fshatin Polac të komunës së Skënderajt jetonin rreth 450 familje me mbi 4000 banorë, që të gjithë shqiptarë. Por gjatë ofenzivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë, në Polac u vranë 86 njerëz: 78 viktima civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të vrarët në Polac, 12 persona ishin nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera”, ka shkruar ai.
“Pas fushatave vrastare të kryera mbi shqiptarët e Kosovës, preokupimi më i madh i shtetit të Serbisë ishte fshehja e këtyre krimeve dhe zhdukja e gjurmëve, që kryesisht synohej përmes zhdukjes së trupave të pajetë. Shtatë banorë të Polacit janë ende të pagjetur, teksa autoritetet e Serbisë i refuzojnë dhe i bishtnojnë bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Në kohën e luftës, 20 banorë të Polacit u mbijetuan plagëve.”
“Shoqëria dhe shteti i Kosovës do të kujdesen për trashëgiminë e luftës së popullit të Kosovës. Nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat, për krimet e luftës dhe dëmet e luftës në drejtim të kriminelëve dhe në adresë të urdhërdhënësve të tyre”, ka shkruar Kryeministri Kurti./Arbresh.info