Hoti kritikon Qeverinë për investime kapitale: Rreth 70% e projekteve të parapara për 2023 as nuk kanë filluar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se ka dështuar në investime kapitale.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se rreth 70% e projekteve të parapara për këtë vit as nuk kanë filluar.

“Po përsëritet situata e vitit të kaluar. Në periudhën janar-qershor 2023, nga rreth 850 projekte kapitale në nivelin qendror, 70% të projekteve as nuk kanë filluar dhe janë me 0% realizim”, ka shkruar ai.

Deputeti opozitar tutje ka thënë se në periudhën janar-qershor 2023, është shpenzuar vetëm 18% e buxhetit për investime kapitale.

“Shpenzimet kapitale sipas organizatave buxhetore janë shqetësuese: Ministria e Bujqësisë 0%, Ministria e Pushtetit Lokal 0%, Ministria e Shëndetësisë 2%, Ministria e Ekonomisë 4%, Ministria e Drejtësisë 4%, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 5%, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë 10%, Ministria e Arsimit dhe Shkencës 14%, Shërbimi Spitalor 12% dhe Ministria e Infrastrukturës 16%”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, sikurse në dy vitet e kaluara, edhe sivjet ekonomisë do t’i mungojnë qindra miliona euro qarkullim në mungesë të realizimit të investimeve kapitale.