Hughes: Shtetet e Bashkuara duhet të mbesin të angazhuara në Ballkanin Perëndimor

Këshilli i Ambasadorëve Amerikan ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë

Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata ish Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

“Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik”.

“Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj”, Hughes për VOA.

“U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO”.

“Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë”, ka thënë mes tjerash Hughes.