I mbijetuari i masakrës: U vranë 24 veta nën urdhrin e Ivanoviqit, unë kam dëshmuar kundër tij

I mbijetuari i masakrës në “Lagjen e Kovaqëve” në Mitrovicë, Isa Mustafa, ka folur sot rreth dëshmisë që ka dhënë kundër Oliver Ivanoviqit, anëtarit të grupit “Rojet e Urës”, të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve gjatë vititi 1999.

Në Debat Plus, ai tha se në atë masakër, për të cilën edhe ka dëshmuar, janë vrarë 24 vetë, ndërsa të gjitha kanë ndodhur nën urdhrin e Oliver Ivanoviq.

“Unë kam dëshmuar për rastin e 14 prillit të vitit 1999, masakrën e kryer në “Lagjen e Kovaçëve” në Mitrovicë. Në atë masakër janë ekzekutuar 24 veta, nën urdhërin e Oliver Ivanoviqit. Janë edhe 7 pas asaj nate. Domethënë, ajo lagje ka të përfshirë 31 të vrarë. Si lagje, është shumë e dëmtuar”, tha fillimisht ai.

Tutje, Mustafa pohoi faktin se edhe vet e kishte parë Ivanoviqin, duke shtuar se ky i fundit nuk ka ekzekutuar, por ka dhënë urdhëra për një gjë të tillë.

“Po, e kam dëshmuar edhe gjatë seancave gjyqësore që gjithnjë Oliver Ivanoviqi ka dhënë urdhëra për ekzekutime. Nuk ka ekzekutuar por i ka dhënë urdhërat për ekzekutime, ekzekutuesit kanë qenë të tjerë, edhe gjatë kohës së UMNIK-ut, edhe gjatë kohës së EULEX-it. Më 23 nëntor të vitit 1999, për herë të parë e kam deponuar dëshminë në gjyq, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Që nga ajo datë e deri sa është kryer gjykimi i Oliver Ivanoviqit, unë kam qenë gjithnjë prezent dhe gjithnjë e kam paditur në të njëjtën formë dhe në të njëjtin rast”, shtoi ai.