IKD në përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan: Nuk ka rezultate në luftën kundër korrupsionit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se sistemi i drejtësisë është ende pa rezultate në luftën kundër korrupsionit.

Përmes një komunikate për media njoftohet se IKD ka mbajtur konferencë për media me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, gjatë së cilës është publikuar raporti “Lufta në tentativë kundër korrupsionit”.

Komunikata e plotë:

IKD: Sistemi i drejtësisë ende pa rezultate në luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 21 korrik 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të enjten, ka mbajtur konferencë për media, gjatë së cilës është publikuar raporti: “Lufta në tentativë kundër korrupsionit”, i cili është raport i monitorimit vjetor të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Leotrim Gashi, hulumtues në IKD, ka thënë se viti 2021 është një nga vitet i cili ka pasur rezultate negative në dështimin e rasteve të profilit të lartë.

Sipas tij, gjatë vitit 2021 janë shpallur vendime gjyqësore në shkallë të parë ndaj 28 personave që i takojnë profilit të lartë dhe për 15 prej tyre gjykatat nuk kanë gjetur prova për ti shpallur fajtorë të njëjtit, kurse për 13 të tjerë gjykata ka hudhur akuzën për shkak se rastet ndaj tyre veçse ishin parashkruar akoma pa arritur në gjykatë.

Gashi po ashtu, ka shtuar se janë evidentuar raste të korrupsionit të cilat kanë dështuar për shkak të gabimeve, të cilat gabime më pas janë reflektuar në papranueshmërinë e provave kryesore.

Antidroga shkatërron një laborator të drogës në Zubin Potok, arrestohen gjashtë persona

Kurse si rezultate pozitive gjatë kësaj periudhe, Gashi ka theksuar se për dallim nga vitet e kaluara, ka pasur numër më të madh të aktakuzave të ngritura ndaj profilit të lartë, kjo pasi gjatë këtij viti, sipas Gashit, Prokurori i Shtetit ka ngritur gjashtë aktakuza në të cilat janë akuzuar 13 persona të profilit të lartë, mirëpo sipas tij në mënyrë që këto raste të konsiderohen si të suksesshme, duhet që ato aktakuza të provohen në gjykatë.

Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Anesa Hoxha ka thënë se në mesin e prokurorëve, ka dallime të theksuara sa i përket suksesit të aktakuzave të tyre.

“Përkatësisht, ka prokurorë që shumica apo të gjitha aktakuzat e tyre për korrupsion kanë dështuar dhe e kundërta, prokurorë që shumica apo të gjitha aktakuzat e tyre kanë pasur sukses në gjykatë”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka shtuar se duke parë dështimin e aktakuzave të Prokurorit të Shtetit, IKD ka analizuar edhe mënyrën e të provuarit të aktakuzave ku IKD ka gjetur se shumica prej tyre si prova kanë propozuar vetëm dëshmitarë, kurse fare pak masa të fshehta hetuese.

“Ngritja e aktakuzave duke u bazuar vetëm në dëshmitarë, raporte policore, deklarata etj. më tepër i ngjan një hetimi administrativ se sa një hetimi penal në rastet e korrupsionit”, ka shtuar Hoxha.

Arrestohen djemtë e ish-deputetit të PDK-së

Ajo tutje ka theksuar se zbatimi i dënimeve plotësuese vazhdon të mbetet si problematikë në luftimin e korrupsionit. Por, sipas saj, në krahasim me vitet e kaluara, gjatë vitit 2021 është evidentuar progres.

Në anën tjetër, Hoxha ka thënë se shqetësuese mbetet pamjaftueshmëria e rezultateve në fushën e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale të korrupsionit.

Nga analizimi i 15 aktgjykimeve dënuese, sipas Hoxhës rezulton se dënimet e shqiptuara ndaj të pandehurve janë kryesisht me gjobë, ndërsa me dënim me burgim efektiv janë dënuar vetëm tre persona.

Në këto aktgjykime, Hoxha tha se është analizuar nëse gjykatat e kanë zbatuar në praktikë udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore të miratuar në vitin 2018 nga Gjykata Supreme e Kosovës me ç’rast IKD ka gjetur se në asnjërën nga aktgjykimet e analizuara nuk ka pasur përputhje të plotë me kërkesat e këtij udhëzuesi.

Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin e IKD-së: “Lufta në tentativë kundër korrupsionit” dhe foto nga konferenca për media.