Insistimi i Kurtit për nënshkrimin e marrëveshjeve, Hovenier: Lajçak ka dhënë disa opsione

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e ambasadës amerikane në Prishtinë, është deklaruar edhe për insistimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë.

Hovenier e ka përsëritur edhe këtë herë se Shtetet e Bashkuara i shohin ligjërisht të obligueshme marrëveshjet, edhe pse s’janë nënshkruara.

Ai po ashtu e përmendi emisarin Miroslav Lajçak, i cili tha se ka dhënë opsione për shqyrtim se si marrëveshjet mund të zyrtarizohen.

“Ai (Lajçak)i ka dhënë qeverisë një sërë idesh apo opsionesh të tjera që ata të shqyrtojnë se si kjo gjë mund të zyrtarizohet në një mënyrë që të jetë më e kënaqshme për Qeverinë e Kosovës, sepse jam i vetëdijshëm se ky është një shqetësim që kryeministri e ka ngritur shpesh, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Por unë mendoj se ju duhet t’i pyesni ata nëse ndonjë prej këtyre opsioneve është parë si i mjaftueshëm apo jo”, ka thënë Hovenier.