Ish-diplomati serb: Sot në Bruksel Vuçiqit dhe Kurtit do t’u ofrohet “karota apo shkopi”

Ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq ka pretenduar se njoftimi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të ketë në Bruksel takime të ndara me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe më pas edhe kryeministri Albin Kurti, tregon se do të ketë insistim për t’i bindur, raporton gazeta serbe “Blic”.

“Sapo u njoftua për takimet dypalëshe, pra takimet e ndara të Vuçiqit me Macron-in dhe Scholz-in dhe më pas edhe takimi i Kurtit me të njëjtit, tregon se do të jetë në vepër bindja. Supozoj se nga Kurti do të kërkohet që përfundimisht të ndërmarrë hapa drejt formimit të Asociacionit, ndërsa nga Vuçiqi të “hyjë në bisedime” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, pretendon Millivojeviq, transmeton Paparaci.

Sipas fjalëve të tij, bisedimet dypalëshe do të zhvillohen në Bruksel sepse liderët më të mëdhenj evropianë do të jenë në samitin e Këshillit Evropian.

“Atje do të jenë para të gjithëve, Scholz dhe Macron, dhe është një gjë nëse atyre u thua po ose jo, dhe tjetër gjë nëse këtë i thua dikujt tjetër. BE-ja dhe SHBA janë në nxitim për të bërë ndonjë përparim në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës deri në shkurt, megjithatë Vuçiq dhe Kurti nuk janë të detyruar të takohen sot, por pritet që në njëfarë mënyre të hyjnë në bisedë dhe mund të takohen edhe, të themi, në dhjetor”, pretendon Millivojeviq.

Ai beson se të dyja palëve do t’u ofrohet një “karotë dhe një shkop”.

“E vetmja karotë e mundshme që mund të ofrojë BE-ja është anëtarësimi, pra progresi në rrugën drejt BE-së, që është hapja eventuale e klasterëve. Nga ana tjetër, shkopi është mungesa e këtij përparimi dhe ndoshta heqja dorë nga disa projekte dhe investime”, ka thënë ish-diplomati serb.