Ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Petrich kritika Bislimit: Edhe nëse politikisht është legjitime, dinari duhet të diskutohet

Brukseli duhet të veprojë me vendosmëri, sepse refuzimi për të biseduar është sjellje e papranueshme, ka thënë ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petrich, pas refuzimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, t’i përgjigjet ftesës së Brukselit për të diskutuar çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë.

“Qëndrimi im ndaj kësaj mase është kritik. Besoj se çdo çështje e tillë, pavarësisht se sa është legjitime politikisht, duhet të diskutohet”, ka thënë Petrich për portalin serb “kosovoonline”.

Ai ka theksuar se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje me ata që preken nga kjo masë, përkatësisht me serbët e Kosovës, por edhe me shqiptarët dhe të tjerët që marrin pensione serbe.

“Kur dëgjova për këtë masë, thashë se nuk ishte vendim i mençur politik i kryeministrit Kurti, sepse besoj se vetëm rrit tensionet. Krijimi i pakuptimtë i një situate që rrit tensionet është diçka që duhet refuzuar”, ka shtuar Petrich.

Ai ka theksuar se tani, kur është miratuar dekreti, duhet gjetur një zgjidhje tranzitore me ndihmën e BE-së dhe mbështetjen e SHBA.

“Para se gjithash, është e nevojshme të shikohen përfitimet dhe dëmet e të prekurve. Kjo është gjëja kryesore për çka duhet të merret në të ardhmen e afërt”, ka thënë Petrich.

“Refuzimi për të biseduar për këtë është një qëndrim i papranueshëm”, ka pretenduar Petrich.

Ai kujton gjithashtu se ky është viti elektoral dhe se në rrethana të tilla shpesh politika teston kufijtë, deri ku mund të shkohet pa pasoja, përcjell Paparaci.

“Kjo ka qenë padyshim mendimi në Prishtinë, duke pasur parasysh se në qershor do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe më pas do të themelohet Komisioni i ri Evropian. Me këtë Kosova e ka vënë BE-në në pozitë të vështirë, sepse nuk është plotësisht efektive. Natyrisht se ende janë aty Miroslav Lajçak, Josep Borrell, ekziston administrata evropiane që merret me këtë çështje, por pesha politike është në rënie. Për sa kohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, nuk ka Komision të ri evropian, nuk është vendosur nëse Lajçak do të vazhdojë misionin, kush do të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së… Gjithë këto janë çështje që do të zgjidhen për disa muaj, prandaj jam pesimist se do të ketë një zgjidhje të mirë para zgjedhjeve”, ka shpjeguar Petrich.

Prandaj ai beson se me çdo kusht dhe me presion të shtuar nga Brukseli, duhet të tentohet të arrihet të paktën një zgjidhje tranzitore, që të mos vuajnë qytetarët.

I pyetur nëse është e mundur të ketë një tjetër raund të dialogut në nivelin më të lartë para zgjedhjeve evropiane, ai përgjigjet se është spekulative nëse dialogu në fazën para zgjedhjeve është i leverdishëm apo nëse të dyja palët presin të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe në SHBA.

“Zgjedhjet në BE dhe SHBA do të përcaktojnë ndjeshëm skenarin e ri dhe mjedisin e ri politik, si dhe mundësitë për negociata”, ka thënë Petrich.