Jasharaj: Kurti do mbahet mend si armik i sindikatave

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tha se Qeveria e Kosovës bën çdo luftë ta shkatërrojë SBASHK-un dhe se Kryeministri Albin Kurti do të mbahet mend si armik i sindikatave.

“Le t’i bëjë edhe 30 lufta. SBASHK-u do të jetojë se ka jetu në vite të tmerrshme në vitet ’90-ta. Aty e kemi na fillin e unitetit dhe këto vitet e pasluftës që kemi ra në shoshë e në sitë. Ne nuk e kemi pas të lehtë as në kohën e Ramush Haradinajt, kemi ba një grevë tri-javore. Por, asnjë sulm publik nga Qeveria madje as nga Facebook nuk e kemi pas. Në këtë Qeveri, shaj Qeveria, mëshoi Qeveria, nxiti Facebook-at dhe unë po them që Kurti për mua dhe SBASHK-un do të mbahet mend si armik, si luftëtar kundër sindikatave në Kosovë”, tha Jasharaj.

Në “Tempus”, Jasharaj tha se ata dhe sindikatat tjera më të vogla po goditen vazhdimisht. Ndërsa, goditje të rëndë e cilësoi obligimin për regjistrimin e sindikalistëve në platformën e-Kosova.

“Jemi goditur edhe ne, po goditen rëndë e goxha vështirë që të mbesin në këmbët e tyre iu ka ndodhur sindikatave numerikisht më të vogla. Ato buxhetin e kanë pasur të akumuluar shumë pak ngase edhe hyrjet e tyre buxhetore kanë qenë shumë modeste, e kur janë ndërprerë ato me aq pak para nuk kanë mundur me mbajtë as një zyre”, tha Jasharaj.