Jasharaj: Profesioni i mësimdhënies gjithnjë e më pak i dëshiruar, shkak pagat dhe kushtet e rënda

Kohëve të fundit ka filluar të shënohet një rënie mjaft e madhe e numrit të nxënësve në shkollat e Kosovës, e arsye kryesore është largimi nga vendi.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka radhitur disa arsye pse po ndodh largimi i mësimdhënësve dhe nxënësve, e sipas tij një nga më kryesoret janë kushtet e rënda ekonomike.

“Ata po dalin në Evropë me shpresën se do ta kenë jetë më të mirë, shkak i kësaj është gjendja ekonomike dhe venitja e shpresës për një të ardhme më të mirë në Kosovë”, tha Jasharaj për “Zërin”.

Jasharaj alarmon se nëse shteti nuk merr masa dhe kjo vazhdon të ndodhë, shumë shkolla në Kosovë do të mbyllen.

“Kjo rënie paraqet problem, por nëse vazhdohet kështu do të kemi edhe mbylljen e shkollave. Informacionet tona flasin se tani edhe punëtorët e arsimit kanë një tendencë për t’u larguar qoftë për të kaluar në një sektor tjetër qoftë për të shkuar në shtetet e Evropës”, u shpreh ai.