Kamenica ndan pako prej 80 produkteve në vlerë 300 euro për foshnjat e porsalindur

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka informuar se kanë përgatitur një pako me 80 produkte në vlerë 300 euro për prindërit që bëhen me një foshnje të re.

Rahimaj theksoi se pos subvencionimit për çdo lindje, Kamenica do të bëhet komuna e parë në Kosovë me një pako të tillë.

“Mirësevini në jetë vogëlushë. Prindër të dashur, ne kemi përgatitur një dhuratë për secilën foshnjë të re që i shtoni Kamenicës”, shkroi Rahimaj.

“80 produkte në vlerë prej rreth 300 eurosh, ku përfshihen rroba të ndryshme për të gjitha stinët, pako për kujdes ndaj fëmijës, pako për kujdes ndaj nënës, libra argëtues dhe shumë produkte të tjera të nevojshme do të vijnë në shtëpinë tuaj.

“Misioni ynë për ta bërë Kamenicën vendin më të mirë për t’i rritur fëmijët nuk ndalet”, ka shkruar ai.