Kapiteni legjendar, Shehu optimist para duelit ndaj Trepçës’89: Besoj në këtë grup

Kapiteni legjendar i KF Rahovecit, Muhamed Shehu – Meda, është optimist se nga Mitrovica KF Rahoveci do të kthehet i pamposhtur.

Shtylla e mbrojtjes për më shumë se një dekadë e KF Rahovecit, Muhamed Shehu – Meda, është një nga meritorët që ekipi ka katër pikë nga dy ndeshje.

Vlen të përmendet se mbrojtja nën lidershipin e Medës nuk ka pranuar asnjë gol të vetëm dhe ai shpreson për rezultat pozitiv nga takimi me Trepçën ’89 në Mitrovicë që zhvillohet këtë fundjavë.

“Mendoj që ajo çka kemi punuar gjatë këtyre dy muajve është shpërblyer në këto dy ndeshje. Jemi një grup mirë i kombinuar dhe komponuar dhe mendoj që xhirove në vazhdim do të kemi ngritje edhe më të lartë të nivelit”.

“Ndeshjet në stadiumin ‘Riza Lusht’ nuk janë të lehta. Ne mendoj që po bëjmë përgatitjet e duhura që të paraqitemi sa më mirë në këtë duel e që besoj shumë në këtë grup që kemi se do të dalim me rezultat pozitiv nga Mitrovica”, deklaroi Meda për Rahoveci24.

Rahoveci këtë fundjavë udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën ’89 e cila vitin e kaluar ishte në Superligë.