“Kemi bërë hapa të mëdhenj”, Osmani u kërkon liderëve të BE-së statusin e vendit kandidat për Kosovën

Në margjinat e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel. E para e shtetit bëri të ditur se Leyenit i ka ritheksuar “nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës”.

Osmani mes tjerash ka theksuar “rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të BE-së”.

“Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, derisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim të BE-së, si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE.” – ka njoftuar ajo,

Në fjalën para mediave, presidentja Osmani theksoi se është koha që të çlirohet e ardhmja evropiane e Kosovës duke kujtuar se shteti i Kosovës mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa status të vendit kandidat.

“Kemi aplikuar rreth 1 vit më parë dhe është koha që të shkohet përpara me këtë proces sepse ne tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj, jo vetëm duke i arritur kriteret evropiane, por edhe reformat në sundim të ligjit, demokraci, ekonomi, dhe jemi të gatshëm të bëjmë më shumë. Duhet të na jepet shansi të ecim në këtë rrugë”, theksoi presidentja e Kosovës.

Ajo ka ka adresuar një sërë thirrjesh ndaj liderëve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar heqjen e masave të cilat ajo i quajti “të padrejta dhe joproporcionale” të marra kundër Kosovës.

“Vij këtu me një sërë mesazhesh në përfaqësimin e popullit të Republikës së Kosovës. Para së gjithash për t’u bërë thirrje liderëve të BE-së që menjëherë të heqin masat e padrejta dhe joproporcionale ndaj Republikës së Kosovës, të cilat u ndërmorën për shkak të ngjarjes së majit.” – tha Osmani.

E para shtetit më tej ka thënë se Kosova “mirëpret ‘Planin e Rritjes’” të prezantuar nga Presidentja e KE-së.

Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezentuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezentuar planin konkret për reforma.”– tha Osmani.