Kërkesa e BE-së për çështjen e dinarit, Kurti: Vendimmarrja e institucioneve të pavarura s’mund të negociohet nga politikanët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re, që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro për pagesa në Kosovë.

Gjatë vizitës për homazhe në kompleksin memorial në Lupç të Poshtëm, me rastin e 34-vjetorit të rënies së dëshmores Elfete Humolli, Kurti tha se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

Sipas kryeministrit, faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

“Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të përhapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por, nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka komentuar edhe kërkesën e Bashkimit Evropian për këtë çështje, duke thënë se BQK-ja është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.

“BQK është institucion i pavarur i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb, pasi më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro për pagesa në Kosovë.