Kërkohet paraburgim ndaj një inspektori të ATK-së, dyshohet për ryshfet

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një inspektori të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Mitrovicë, i cili dyshohet për marrje dhe dhënie të ryshfetit.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Q.M., inspektor i Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicë, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit“ nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK, dhe për S.S., nga Novi Pazari, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Dhënia e ryshfetit“ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Inspektori i ATK-së në Mitrovicë dyshohet se gjatë ditës së djeshme, në parkingun e Terminalit Doganor në Mitrovicë, si person zyrtar në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar shumën e të hollave prej 135 euro, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

“I dyshuari S.S., dyshohet se me qëllim të lehtësimit të procedurave për lirimin e mallit, i jepë dhuratë personit zyrtar shumën prej njëqindetridhjetepesë (135) euro, e gjithë kjo me qëllimin që i njëjti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare”, thuhet tutje në njoftim.