Këta janë dy pro-rusët të cilëve iu ndalua hyrja në Kosovë

Institucionet e Kosovës kanë marrë vendim për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë Dimitrije Markovqi dhe Nenad Jeremiq për shkak të aktivitetit të tyre kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga qeveria e Kosovës ku thuhet se dy të apostrofuarit njihen për elemente pro-ruse në aktivitetin e tyre, ku përdorin aktivitetet humanitare në emër të të cilave shpërndajnë propagandë kundër Kosovës dhe nxisin urrejtje ndëretnike, dëmtim të imazhit dhe paraqesin jo drejtë gjenden e serbëve në Kosovë.

“Në muajin korrik të këtij viti, Bashkimi Evropian kishte tërhequr vëmendjen për rritjen e rrezikut nga grupet e ekstremit të djathtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Njëri nga të ndaluarit, në vazhdimësi ka qenë shoqërues dhe anëtar i organizatës së ekstremit të djathtë “Fronti i Solidaritetit Evropian për Kosovën – ESFK” gjatë vizitave të tyre në Kosovë, në përbërje të shtetasve çekë, gjermanë, etj. Kjo organizatë promovon ndjenjat anti-perëndimore, ndërsa mbështetë lidhjet e ngushta me Rusinë.”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, sipas komunikatës së qeverisë, ESFK është klasifikuar në mesin e lëvizjeve ekstremiste të krahut të djathtë nga një raport i vitit 2013 i ministrisë së Brendshme të Çekisë.

“Në vitin 2019, organet e sigurisë së Republikës së Kosovës, kishin ndaluar tetë anëtarë të kësaj organizate, të cilët kishin planifikuar ngritjen e një droni mbi stadiumin “Fadil Vokrri” me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.”, thuhet në këtë komunikatë.

Gjithashtu për Markoviq thuhet se ka raporte të afërta me zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Rusë në Kosovë.