Këto janë 10 kërkesat e Policisë që i dorëzuan në komisionin për të drejtat e njeriut

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dorëzuar peticion me mbi 5 mijë nënshkrime nga policët. Peticioni i është dërguar Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Aty, Policia ka adresuar 10 kërkesa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.

10 kërkesat kryesore janë: Ligji i Pagave, shtesa për rrezikshmëri në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurim shëndetësore dhe jetësor, ligji për pensionimin në Policinë e Kosovës.

Anëtarja e Komisionit Hetimor për të Drejta të Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi, ka njoftuar se kanë pranuar një peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit kërkohet përmirësim i kushteve të punës.

Ajo ka shkruar në Facebook se peticionin e kanë nënshkruar 5623 pjesëtarë të Policisë, e në mesin e kërkesave janë shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund të vitit për përformancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritje e përvojës së punës, sigurim shëndetësor e jetësor dhe Ligji për pensionim në Polici.

“Duke pasur parasysh kushtet dhe ambientin e punës, Policia e Kosovës është ndër institucionet me rrezikshmërinë më të lartë në shoqëri si nga aspekti i shëndetit ashtu edhe nga aspekti i rrezikut për jetë. Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave dhe autorizimeve policore përballet me rreziqe të drejtpërdrejta për jetën dhe shëndetin si dhe situata stresuese gjatë ushtrimit të veprimtarisë policore. Zyrtarët policor kanë autorizim të përdorimit të mjeteve dhe pajisjeve të rrezikshme gjithashtu për jetën dhe shëndetin, i ekspozohen rrezikut në mënyrë permanente dhe të befasishme”, thuhet në letër.

“Situata të tilla paraqiten në baza ditore rastet si: gjatë përgjigjes në thirrjet e qytetarëve për ndihmë dhe ofrim të shërbimeve; kontrolli dhe sigurimi i kufirit shtetëror; intervenimit dhe reagimit në rastet e krimeve dhe incidenteve të ndryshme; fatkeqësive natyrore; aksidenteve në trafik; ballafaqimi me trazira dhe prishje të rendit dhe sigurisë publike në përmasa të mëdha; arrestimin dhe transportin e personave me rrezikshmëri; zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit; luftimi i krimit përfshirë por pa u kufizuar vetëm në krimin e organizuar, terrorizmin, narkotikë, kontrabandës me armë dhe mallra, trafikimin me qenie njerëzore; kërkimi dhe arrestimi i personave të arratisur; gjurmimi dhe zbulimi i materive helmuese dhe eksplozive por edhe trajtimi i materieve të tilla; shpëtimi i pengjeve; rastet e kidnapimit; goditja e grupeve kriminale të organizuara; kërcënimeve me armë dhe materie tjera eksplozive; bazuar në dispozitat ligjore zyrtari policorë, në të gjitha rrethanat, kur e takon një incident në progres ka obligim ligjor 24/7 orë të ndërhyjë dhe t’a menaxhoj incidentin pavarësisht nivelit të rrezikut për jetën e tij, etj”, theksohet më tutje.

“Për të ilustruar më detajisht specifikat e dhe rrezikshmërinë në punë, flasin të dhënat tona se deri me tani në kryerje të detyrës kanë humbur jetën 23 zyrtarë policor, kanë vdekur në detyrë 322 zyrtarë, 4753 rate të lëndimeve të zyrtarëve policor në kryerjen e detyrave zyrtare, 319 zyrtarë të sëmurë në detyrë, aktualisht me sëmundje të veçanta shëndetësore janë 528 zyrtarë. Deri tani kemi 2285 pjesëtarë të policisë të cilët kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia”, thuhet në letër.