Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka njoftuar se nga data 5 deri më 7 shtator, do të zhvillojë një stërvitje ushtarake në Kosovën perëndimore.
Sipas njoftimit, për shkak të ushtrimeve ushtarake, ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë një stërvitje rutinë ushtarake në Kosovën perëndimore nga data 5 deri më 7 shtator 2023. Aktiviteti stërvitor do të kryhet nga Komanda Rajonale-Kontingjentet Shumëkombëshe Perëndimore dhe do të fokusohet në procedurat dhe përgatitjen e gatishmërisë operacionale të njësisë. Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it gjatë kësaj periudhe do të vendosen në afërsi të Krushevës dhe Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftim.
Aty jepen edhe detaje tjera.
“Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje si ditën ashtu edhe natën në terren. Do të ketë gjithashtu autokolona mjetesh ushtarake të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që do të udhëtojnë në rrugët kryesore dhe dytësore brenda zonës. KFOR-i i kryen këto ushtrime rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar reagim në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë kohës gjatë stërvitjes dhe kërkon bashkëpunimin e komuniteteve lokale gjatë këtij aktiviteti”, vijon njoftimi.