Kjo është studentja shqiptare që kërkoi futjen e gjuhës shqipe në Universitetin e Harvardit: Dua që fëmijët e mi të flasin shqip

Në fillim të vitit, listës së gjuhëve të huaja që mësohen në Universitetin e Harvardit iu shtua edhe gjuha shqipe.

Kjo erdhi pas kërkesës së studentëve shqiptaro-amerikanë dhe mbështetjes së punonjësve shqiptaro-amerikanë në administratën e këtij universiteti.

Gazetari i “Zërit të Amerikës”, Burim Goxhuli, ishte në qytetin Cambridge, në Massachusetts, ku ndodhet Universiteti i Harvardit dhe solli më shumë hollësi mbi këtë programi. Gjuha shqipe, lëndë me zgjedhje në Departamentin e gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes së afërt, ofrohet në tri nivele, atë fillestar, të mesëm dhe të avancuar, pavarësisht nga njohuritë e studentëve. Ligjeruesi, Faton Limani, thotë se studentët që zgjedhin gjuhën shqipe nuk mësojnë vetëm bazën e gjuhës.

“Studentët mësojnë strukturën e gjuhës, gramatikën dhe morfologjinë, por edhe të folurit, shkrimin dhe leximin. Gjithashtu, unë si ligjërues, përveç atyre gjërave bazike që u duhen studentëve për ta mësuar, për ta folur dhe për ta shkruar gjuhën shqipe, kam futur edhe pjesën e kulturës dhe historisë. Për çdo semestër studentët bëjnë nga një prezantim ku zgjedhin tema të caktuara si historia e alfabetit të hjuhës dhqipe, historia e shqiptarëve, apo folklori, muzika, tradita e të tjera”, – u shpreh ai.