Koloneli i FSK-së: Kosova s’ka qenë kurrë më e mbrojtur

Koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, deklaroi që Kosova s’ka qenë kurrë më e mbrojtur.

Në kuadër të diskutimit se ka ende rreziqe për sulme të mundshme nga Serbia, Veseli tha se ka informacione që institucionet e vendit, KFOR-i e NATO, kanë marrë masa në të gjithë territorin e Kosovës.

“Plani i Serbisë mbetet një mister. Por, institucionet e Kosovës, KFOR-i gjegjësisht NATO, unë e di që kanë marrë masat në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Qoftë në jug të vendit, qoftë nga kufiri i Merdarit, qoftë nga pjesa e Gollakut, është një shtrirje e organeve të sigurisë dhe është në vëzhgim. Kurdo që paraqitet një problem i tillë, institucionet e Kosovës, NATO dhe KFOR-I janë të gatshëm. Kosova kurrë s’ka qenë më e mbrojtur. Kur të duan le të fillojnë, ne jemi këtu”, potencoi Veseli në emisionin “Ditari”.

Po ashtu, Veseli tha se çdo tentativë nga ndonjë grup kriminal për ta prishur integritetin e Kosovës, do ta pësojnë “fiasko”.