Komandanti i KFOR-it në Kosovë: Kemi katërfishuar praninë tonë në Veri, synojmë të parandalojmë përshkallëzimin

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulash, tha se trupat e NATO-s kanë marrë masa të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo lloje dhune të mundshme në Kosovë. Ai deklaroi se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut Kosovë-Serbi.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it tha se tensionet në rajon janë rritur, pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj.

“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi numri një i KFOR-it në Kosovë.

“Pas 24 shtatorit tensionet janë rritur në rajon, pas incidentit të dhunshëm dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj të këtij viti. Për pasojë, NATO ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese”, theksoi komandanti i KFOR-it.

Ai shtoi se është katërfishuar prania e KFOR-it në veri të Kosovës dhe trefishuar numri i patrullave në vijën kufitare administrative me Serbinë.

“Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast të kundërt jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi gjenerali Ulutas.

Tutje, ai ka folur për sigurinë në Kosovë, ku KFOR-i është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Lidhur me deklaratën e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla lidhur me mundësinë e përballjes me grupe të reja destabilizuese, komandanti i KFOR-it tha se është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë, por që nuk ka dashur të spekulojë me skenarë të mundshëm, derisa shtoi se KFOR-i mbetet vigjilent dhje i gatshëm për çdo zhvillim që mund të ndikojë negativisht në mjedisin e sigurisë.