Komandanti i ri turk i KFOR-it brengos Beogradin, dyshojnë në paanshmërinë e tij

Misioni Paqembajtës i NATO-s në Kosovë, në veçanti pas (por edhe para) sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit, ka qenë subjekt i madh i kritikave në Beogradin zyrtar, ku madje pas, siç e quajtën ata, “dritës jeshile që i dhanë Policisë së Kosovës” më 24 shtator, kanë “reduktuar kontaktin më miminum…dhe në nivel thjesht teknik” me KFOR-in, pati njoftuar Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, teksa tërë vrerin e tij e gjuante ndaj forcës ndërkombëtare se ishin “shndërruar në mision thjesht vëzhgues pasiv”.

Vuçeviq, duke folur për mediat serbe, ishte pyetur se “çfarë u thanë nga KFOR-i” gkatë 24 shtatorit, shprehej se nga Komandanti italian i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia kanë marrë thjesht “përgjigje boshe” dhe “pak a shumë përgjigje që i shkojnë përfshtati (Kryeministri të Kosovës, Albin) Kurti”.

Kjo pavarësisht se muaj më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, nëpër konferencat dramatike të tij për media, lavde kishte vetëm për KFOR-in italian dhe komandantin Ristuccia, si të vetmët që “e kuptojnë gjendjen reale në terren”.

Por, tashmë kur dita-ditës Ristuccia do të largohet dhe vendit e tij për një mandat një vjeçar do ta merr gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, në Beograd kanë nisur interpretimet dhe brengat se çfarë mund të llogarisin te ky ndërrim i komandës.

Gjenerali turk vjen mu në një kohë kur Beogradi i ka mprehur tonet ndaj Ankarasë për armët që Turqia i ka siguruar Kosovës, përkatësisht kohëve të fundit Dronët e famshëm dhe të suksesshëm Bayraktar; për çka Vuçiqi do të shpërthente nëpër konferenca shtypi e ku madje pretendone se FSK-së Turqia jo vetëm që u ka siguruar dronë, por u ka dhënë edhe “raketa anti-tank, topa gjuajtës me rreze të gjatë”, ndërsa shtetin turk e denonconte se “po armatos seriozisht FSK-në”.

Për të mos u mjaftuar dhe ndaluar se denoncuari Turqinë, Aleksandar Vuçiq – ndonëse mirëmban raporte të afërta me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan – thoshte se Turqisë i ka mbetur vetëm edhe një gjë e vetme të bëjë për FSK-në: “T’ua ngrisin edhe flamurin në NATO”.

Një burim brenda qeverisë kosovare i kishte thënë para disa muajve gazetës britanike që merret me Lindje të Mesme “Middle East Eye” se për shkak të “qasjes të marrjes me të mirë Serbinë nga Perëndimi” kjo brenda lidershipit kosovar ka bërë që “rëndësia strategjike e Turqisë të kthehet në fokus të thellë”.

Dhe këtu, thoshte ai, duke ia shtuar edhe kontekstin e blerjes së dronëve turq “ka të ngjarë të forcohet ndjeshëm, duke çuar në intensifikimin e lidhjeve dypalëshe, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes”.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, u shpreh hiç entuziast për ardhjen e gjeneralit turk në krye të KFOR-it ditëve të fundit. Vuçeviq tha se “sinqerisht” Turqia është një promovuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës, por edhe armatosjes së FSK-së dhe shndërrimit të kësaj të fundes në ushtri të plotë.

Turqia është një nga sponsorët kryesorë të armatosjes dhe pajisjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe promotori apo sponsori i transformimit të FSK-së në atë që ata e shohin nesër si Ushtria e Kosovës, Ushtria e Re Shqiptare. Kur thonë ‘Kosova’ kjo është një histori thjesht shqiptare, të mos gënjejmë. Fakti që ata gjejnë një rom, një boshnjak dhe një kuazi-serb është e gjitha një komponent shqiptar, një histori shqiptare”, thotë ai.

Ish-ambasadori serb në Ankara, Darko Tanaskoviq, i tha Kosovo-Online’it se Serbisë “nuk i shkon fare për shtati” që një gjeneral turk të kryesojë me KFOR-in; ndonëse u shpreh se nuk beson se ai urdhërat do t’i marrë nga Turqia.

Ka tituj të mëdhenj në gazetat turke se ‘ushtari turk kthehet në Kosovë’ dhe ne e dimë historikisht se çfarë do të thotë dhe cilat janë konotacionet. Nga pikëpamja praktike, fakti është se Turqia ka qenë prej kohësh një nga furnizues të privilegjuar jo vetëm me armë dhe pajisje ushtarake, por edhe një vend që trajnon oficerë nga këto vende, dhe kjo vlen plotësisht për Kosovën. Në këtë kuptim, Serbisë nuk mund t’i përshtatet veçanërisht që komandanti i KFOR-it është nga Turqia”, tha Tanaskoviq.

Ish-diplomati serb që ka kryesuar edhe delegacionin serb në UNESCO shprehet se “sigurisht një serb nuk mund të jetë i lumtur kur një turk kthehet në Kosovë. Ata ishin në kazermën ‘Sulltan Murat’ dhe thjesht simbolikisht, ne nuk mund t’i kapërcejmë ato inate”./Nacionale