Kombëtarja e veteranëve të Kosovës udhëton në Spanjë, merr pjesë në Turneun Mallorca 2024

Gjatë kësaj jave në turneun prestigjioz të Mallorcas do të marrë pjesë edhe ekipi ynë kombëtar i veteranëve.

Nga datat 9 deri më 13 maj në qytetin ishullor spanjoll të Mallorcas organizohet edicioni i radhës i turneut të njohur të futbollit, i njohur si Tournament Mallorca.

Mirëpo për dallim nga edicionet e mëhershme, kësaj radhe në mesin e ekipeve pjesëmarrëse do të jetë edhe Kombëtarja e veteranëve të Kosovës në futboll. Ata do të paraqiten me simbolet e Republikës së Kosovës në shtetin që akoma nuk ka njohur shtetin kosovar.

Për ekipin e veteranëve dardanë ky përbën një lajm tjetër pozitiv, me mundësinë që ta përfaqësojnë në formë sa më të denjë vendin. Duhet theksuar se gjatë javëve të shkuara, kur u konfirmua pjesëmarrja e ekipit kombëtar kosovar të veteranëve në turneun respektiv, organizatorët spanjollë treguan formën e tyre më të respektueshme të mundshme, duke komunikuar në publik përmes faqes së tyre në “Facebook” lajmin se edhe Kosova me ekipin e vet do të paraqitej, për t’u uruar krejt një fund edhe një mirëseardhje në shqip: “Mirë se vini në Mallorca”!

Duhet kujtuar faktin se Kombëtarja e veteranëve të Kosovës prej që është formuar ka shënuar progres dhe rezultate të mira, ku nuk kanë munguar edhe sukseset e regjistruara.