Konjufca komenton deklaratën e Escobar: Me Britaninë kemi raport të shkëlqyeshëm, Londra s’është në kornizën e Lajçak

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e përjashtoi Mbretërinë e Bashkuar, kur u pyet të hënën në një intervistë për marrëdhëniet e Kosovës me shtetet Perëndimore, të cilat, siç tha i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar javën e kaluar, janë të zhgënjyera me Qeverinë e Kosovës.

Konjufca tha se me britanikët Kosova ka “raport të shkëlqyeshëm”.

“Unë nuk mund të them ashtu në mënyrë universale, me i futë të gjitha shtetet. Për shembull unë mendoj që me Britaninë e Madhe kemi raport të shkëlqyeshëm”, tha Konjufca.

Tutje, ai përmendi vizitën e ish-kryeministrit britanik, kryediplomatit të tanishëm, David Cameron në Prishtinë në fillim të vitit. Ajo tha se ishte më e mira ndonjëherë për Kosovën.

Mendoj që vizita e Sekretarit të Jashtëm, ish-kryeministrin Cameron, ishte vizita më e mirë e jashtme që e ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës pas pavarësisë. Njëra prej vizitave më të fuqishme që më kujtohet mua prej vitit 2008: me mesazhe shumë të qarta për Serbinë, me mbështetje të parezervë për shtetin e Kosovës”, tha kryeparlamentari për Kanal 10.

“Do me thënë, tash edhe mes shteteve po ka dallime. Mua më duket që Kosovës i ndihmon më së shumti pikërisht ky qëndrimi britanik”, shtoi ai.