Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur sërish gatishmërinë e subjektit politik prej nga vjen, Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen para kohe të zgjedhjeve parlamentare.
Konjufca tha pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit se aty nuk u diskutua kjo çështje. Ai tha se vetë është “moti për zgjedhje”, duke e konsideruar atë si opsionin më të mirë.
“Nuk pati asgjë nga këto kërkesa, por nuk e përjashtoj që në të ardhmen ndonjë grup parlamentar mund të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve”, tha Konjufca.
“Ju e dini që unë moti jam për zgjedhje. Kam thënë që opsioni më i mirë është që të shkohet në zgjedhje, por tash, të gjithë po thonë që është sivjet. Ky vit i ka edhe disa muaj. Unë nuk mund t’ju them se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, por ju e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje”, shtoi ai në një deklarim para mediave.
Konjufca tha se “vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme, a është vera, a është vjeshta”.