Konjufca; Serbia vazhdon të jetë aleate e Rusisë, ajo duhet të shihet si rrezik për tërë Ballkanin

Serbia ka për ta përsëritur Banjskën dhe atë me përmasa më të mëdha, tha për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kështu deklaroi Konjufca në një konferencë për media me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer.

Konjufca në prani të zviceranit Nussbaumer foli për pretendimet territoriale të Serbisë karshi Kosovës të cilat, sipas tij, mund të përkthehen edhe në sulm konkret.

Ai u shpreh se derisa Serbia vazhdon të jetë aleate e Rusisë, ajo duhet të shihet si rrezik për tërë Ballkanin.

Nëse Serbia lihet e pa ndëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar por me përmasa më të mëdha”, tha Konjufca.

Si një nga shtetet që nuk ka mbështetur sanksionimin e Rusisë përballë luftës së Ukrainës, dhe vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet jo vetën rrezik për Kosovën por të gjithë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Të njëjtën gjë e tha Konjufca edhe para një jave kur në vizitë ishte kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq, me të cilën në konferencë të përbashkët për media tha se Serbia e trajton udhëheqësin e grupit paraushtarak, Millan Radoiçiq, sikur të kishte bërë ndonjë “shkelje trafiku”.