“Korrupsion masiv, skandale të njëpasnjëshme”: PDK kërkon zgjedhje të reja

Pas takimit të mbajtur në mes të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një komunikate ka akuzuar qeverinë për humbje të besueshmërisë si pasojë e “keqqeverisjes dhe veprimeve të papërgjegjshme”. Në këtë kontekst, partia më e madhe opozitare ka kërkuar që “domosdoshmërisht” të shkohet në zgjedhje të parakohshme nacionale.

Në mbledhjen e kryesisë, PDK-ja është shprehur e shqetësuar për, siç kanë thënë, “thellimin e krizës politike, ekonomike dhe sociale në vend”.

Sipas komunikatës së kësaj partie, qeveria aktuale nuk ka ofruar një menaxhim të duhur të situatës dhe se vendi po përballet me sfida të shumta në shumë fusha të jetës së përditshme.

Në veçanti, ata akuzojnë qeverinë për skandale dhe afera të shumta, duke përfshirë arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe drejtësinë.

“Edhe një herë, në vazhdën e keqqeverisjes dhe veprimeve jo të përgjegjshme të Qeverisë, Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me thellimin e krizës politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë. Skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie, nga arsimi, ekonomia, shëndetësia, drejtësia e deri te diplomacia, po përkeqësojnë çdo ditë mirëqenien e qytetarëve dhe pozicionin e shtetit të Kosovës” – thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga PDK.

Një nga akuzat më serioze që PDK ngrit ndaj qeverisë së Albin Kurtit është korrupsioni masiv që – sipas tyre – ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë të qeverisë.

“Korrupsioni masiv që ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë të kësaj Qeverie, shpërfaq paaftësinë e thellë dhe abuzimin e qëllimshëm me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare.” – thuhet më tej.

Më tej aty thuhet se qeveria e Kurtit ka humbur “çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme.”

Në fund, Partia Demokratike ka theksuar nevojën për “një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.”