Kosova me shkallë të lartë të varfërisë, Sadiku: Rritja ekonomike e pamjaftueshme

Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit.

Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.

Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit.

Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.

“Në përgjegjësi statistikat, vlerësimet e eksperteve, tregojnë se Kosova gjendet në një situatë tejet të vështirë, sepse së pari përballet me disa probleme bazike afat gjate, të cilat nuk janë zgjidhur për këto mbi 20 vjet. Kosova gjithnjë përballet me probleme të reja, të cilat i sjell zhvillimi, sidomos kjo ka ardhur në shprehje gjatë paraqitjes së krizës së madhe para tri viteve kur Kosova edhe pse është në Eurozonë është ballafaquar me inflacion të lartë dhe ky inflacion ka paraqit goditje të madhe për popullatën, sidomos për atë të varfër, popullatën që jetojnë në asistencë teknike dhe për pensionistët.

Derisa në gjitha vendet rreth Kosovës gjatë kësaj periudhe është bërë indeksimi i shpenzimeve sociale, i pensioneve, i të dhënave tjera, Kosova ka qëndruar në një vend, dhe kjo tregon se në vend mungon ndjesia për zhvillim social dhe sa herë që thërrasim që Kosova ka zhvillim ekonomik, kjo rritje nuk shndërrohet në zhvillim ekonomik, pasi Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta në shëndetësi, arsim, e me radhë”,thekson Sadiku.