Kosovarët që shkojnë në haxh duhet të marrin leje, në të kundërtën do të gjobiten 2500 euro

Bashkësia Islame e Kosovës, ka bërë të ditur se Ministri i Ministrisë së Haxhit dhe Umres në Arabinë Saudita i ka dërguar letër Myftiut Naim Tërnava lidhur me shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në haxh.

Në një postim të bërë nga Bashkësia Islame ku dhe është publikuar kjo letër, thuhet se qytetarët duhet të marrin leje për të shkuar në haxh, dhe në rast të moszbatimit të këtij rregulli, do të ketë pasoja me gjobë për të gjithë që tentojnë ta kryejnë haxhin pa leje.

Po ashtu, thuhet se ndaj këtyre personave, do të ketë edhe ndalim të hyrjes në Mbretërinë e Arabisë Saudite për një afat të pacaktuar.

Njoftimi i plotë:

Ministri i Ministrisë së Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Teufik bin Feuzan bin Rebiah, i ka dërguar një letër kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, nëpërmes së cilës njofton gjithë besimtarët myslimanë të Kosovës, se organizimi i shkuarjes në haxh i takon vetëm institucionit zyrtar në Kosovë, pra Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në këtë letër thuhet se Këshilli i Lartë i Dijetarëve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ka nxjerrë një fetva drejtuar të gjithë myslimanëve për ndalesën e kryerjes së haxhit pa leje, kjo me qëllim të realizimit të objektivave të së mirës së përgjithshme dhe të mos dëmtimit të haxhilerëve të rregullt.

Ai ka njoftuar se në rast të mos zbatimit të kësaj fetvaje, do të ketë pasoja me gjobë për të gjithë ata që tentojnë të kryejnë haxhin pa leje, si dhe ndalim të hyrjes në Mbretërinë e Arabisë Saudite për një afat të pacaktuar.