Kosovës mund t’i shqiptohen masa shtesë nga BE-ja

Bashkimi Evropian mund të shtojë masa të tjera ndëshkuese ndaj Kosovës, nëse ndonjë anëtar i Unionit nuk sheh hapa konkretë drejt shtensionimit. Nga masat nuk është imune as Serbia. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Takimi i djeshëm në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka zhgënjyer shtetet perëndimore. Ndonëse u propozua një marrëveshje me sekuencim, siç u tha, Kosova nuk e pranoi propozimin e Borrelit ndërsa Serbia po.

Në një deklarim për media, zëdhënësi Peter Stano theksoi se masat ndaj Kosovës mund edhe të shtohen.

“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për shtensionim, mund të futen masa shtesë, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve”, tha Stano.

Madje, një ‘dënim’ i tillë mund të ndodh shpejt.

“Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjell përgjigje më specifike për pyetjen tuaj nëse do të ketë masa shtesë”, shtoi tutje ai.

BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës gjatë korrikut për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria për uljen e tensioneve në veri.

Këto masa, të cilat janë ende në fuqi, përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mospjesëmarrja e Kosovës në takime të Nivelit të Lartë si dhe suspendimi i vizitave bilaterale.