Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar njoftimin për furnizim me kamera dhe pajisje përcjellëse për regjistrimin e të gjithë aktivitetit gjatë procesit të votimit për ditën e zgjedhjeve dhe në vendvotime.
Sipas KQZ-së, vlera e parashikuar e kontratës është 1 milion e 55 mijë euro.
KQZ ka dhënë sqarime për vendosjen e kamerave:
“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim;
Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit;
Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese;
Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.”