Krasniqi e Rashiq shkojnë në Leposaviq, ruhen nga njësitë speciale të Policisë

Dy ministrat e qeverisë së Albin Kurtit, ai i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kanë shkuar sot në Leposaviq.

Për vizitën ka njoftuar Krasniqi, i cili ka thënë se atje ka qenë me Rashiqin, dhe janë takuar me disa qytetarë të cilët kanë pësuar dëme materiale si pasojë e zjarrit.

“Në Leshak, takuam dhe biseduam me qytetarë për problemet dhe kërkesat e tyre. Vizituam edhe familjen të cilës si pasojë e zjarrit i është djegur ferma bashkë me disa krerë gjedhe brenda saj”, ka shkruar Krasniqi i cili këtë vizitë e ka kryer nën përcjelljen e njësiteve speciale të Policisë.

“Përkushtimi i tyre në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë është i madh, serioziteti i tyre në punë është i lartë andaj ne do të ju qëndrojmë afër në mënyrë që të ju lehtësojmë punën dhe përmirësojmë kushtet”.

“Gjatë kësaj dite, me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Leposaviqit, Nenad Radosalevic, vizituam Qendrën Sportive të Komunës, e cila është inicuar si projekt qeveritar në vitin 2015 dhe ka mbetur ende pa u përfunduar”, ka shkruar tutje ai.