Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se të martën bëhen një vit nga zgjedhjet që u patën mbajtur në katër komunat në veri. Ai e përmendi që atëherë e kishin shtyrë dy herë afatin e zgjedhjeve “për t’i dhënë mundësi të gjithëve”.
Zgjedhjet e atëhershme u patën bllokuar nga partitë dhe qytetarët serbë.
“Edhe 2 ditë bëhet 1 vit nga procesi zgjedhor për kryetarët e komunave në 4 komunat në veri të Republikës së Kosovës. 2 herë e patëm shtyrë afatin e zgjedhjeve vetëm për t’i dhënë mundësi të gjithëve. Me urdhër të Beogradit asokohe Lista serbe nuk mori pjesë në zgjedhje dhe në komuna u vendosën kryetarët legal që janë edhe sot.”
Krasniqi ka thënë se kanë hartuar Udhëzimin Administrativ që t’ia mundësojnë qytetarëve në Veri dhe jo vetëm që të shkarkojnë kryetarët përmes përcaktimit qytetar.
Ai ka shkruar se është evidente që Lista Serbe dhe Beogradi kanë dhënë urdhër për bojkotim, po jo sepse nuk duan zgjedhje por sipas tij nuk duan të përballen me dështimin eventual të tyre.
“Për t’i dhënë mundësi vendosjes demokratike Republika e Kosovës nxori udhëzimin administrativ si mundësi që komunat në veri dhe jo vetëm të shkaktojnë proces demokratik zgjedhor përmes përcaktimit qytetar. Në përputhje me këtë sot në veri të vendit, pas peticionit të sukseshëm, po mbahet votimi që do të çonte ose jo në zgjedhje komunat përkatëse. Është evidente që Lista serbe dhe Beogradi kanë dhënë urdhër për bojkotim, dhe jo sepse ata nuk duan zgjedhje, por se nuk duan të përballen me dështimin eventual të tyre.”
Për institucionet e Kosovës, Krasniqi ka thënë se është i rëndësishëm “obligimi që kemi marrë për të krijuar infrastrukturën dhe mundësinë që qyetarët të shprehin në mënyrë demokratike vullnetin e tyre”.
Ai ka shtuar se është përmbushur zotimi i dhënë ndaj qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar.
Sipas Krasniqit, është në duar të qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Por, për institucionet e vendit më e rëndësishme se kjo është obligimi që kemi marrë për të krijuar infrastrukturën dhe mundësinë që qyetarët të shprehin në mënyrë demokratike vullnetin e tyre duke përmbushur kështu edhe një zotim të dhënë edhe karshi qyetarëve edhe faktorit ndërkombëtar për krijimin e rrethanave për zgjedhje të reja atje. Është në duar të qyetarëve atje që të shfrytëzojnë këtë mundësi, ndërkohë që është rendi që secila masë e padrejtë mbi Kosovën të hiqet përfundimisht.”
Sot në Veri po mbahet procesi i votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë. Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, pak më parë ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 është si në vijim: në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7 votues, në Zveçan asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 23 votues.