Krasniqi udhëton drejt SHBA-së

Zyra e Komunikimit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, do të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, Krasniqi është i ftuar të marr pjesë në takimin tradicional të Lutjeve të Mëngjesit.

“Ai po ashtu do të ketë takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në të dy Dhomat e Kongresit Amerikan, atë të Përfaqësuesve dhe në Senat”.

Kjo është vizita e dytë e Krasniqit brenda pak muajsh në SHBA, pas asaj që kishte në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Kreu i PDK-së gjatë qëndrimit në SHBA ishte takuar me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe me Zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit, që është edhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas tij, gjatë takimit me top diplomatin amerikan ishte diskutuar edhe situata dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër.